Komuna e Prishtinës apelon për kujdes të shtuar për shkak të motit të keq dhe ngricave
Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se gjatë ditëve në vijim pritet përkeqësim i kushteve atmosferike, me temperatura të ulëta, ngrica dhe reshje bore duke rritur rrezikun gjatë qarkullimit në rrugë.
Në njoftimin zyrtar, qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kufizojnë lëvizjet vetëm në raste të domosdoshme. Po ashtu, rekomandohet përdorimi i pajisjeve të detyrueshme të dimrit, shmangia e shpejtësisë së lartë dhe respektimi i sinjalistikës rrugore.
Sa i përket Transportit Publik Urban, Komuna bën të ditur se për shkak të kushteve atmosferike mund të ketë vonesa në disa linja. Në zonat ku vlerësohet se qarkullimi nuk është i sigurt, transporti publik do të pezullohet përkohësisht deri në përmirësimin e kushteve, ndërsa qytetarët do të njoftohen me kohë për çdo ndryshim.
Për çdo pengesë në qarkullim apo situatë që kërkon ndërhyrje, qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën e Thirrjeve në numrat pa pagesë: 0800 122 33 dhe 0800 122 44.
Komuna e Prishtinës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin duke theksuar se siguria e tyre mbetet prioritet. /Kosova.info/
