Hamiti: Qytetarët po ia faturojnë opozitës sanksionet dhe dështimet e Qeverisë Kurti

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka reaguar ndaj rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe votës qytetare në mbështetje të kryeministrit Albin Kurti dhe aleatëve të tij.

Në një deklarim kritik, Hamiti shprehet se nga rezultati zgjedhor krijohet përshtypja sikur qytetarët po ia atribuojnë opozitës përgjegjësinë për sanksionet ekonomike të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, e jo Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas tij, në këtë logjikë, del se pezullimi i rreth 600–700 milionë eurove nga fondet e BE-së për më shumë se dy vjet e gjysmë, pezullimi i dialogut strategjik të SHBA-ve me Kosovën, si dhe shkeljet e shumta të Kushtetutës së Kosovës gjatë pesë viteve të fundit, po i faturohen padrejtësisht opozitës.

Hamiti thekson se, sipas këtij perceptimi, opozita po shihet si fajtore edhe për korrupsionin masiv qeveritar, ndërkohë që përgjegjësia reale, sipas tij, i takon Qeverisë aktuale.

“Nga vota e 28 dhjetorit duket sikur qytetarët besojnë se për sanksionet ndërkombëtare, izolimin diplomatik dhe shkeljet kushtetuese nuk është fajtore Qeveria, por opozita,” ka përfunduar Hamiti duke nënvizuar nevojën për reflektim politik dhe llogaridhënie institucionale. /Kosova.info/


Go to TOP