Shqiprim Arifi akuzon VV-në për koordinim me Serbinë: AKI duhet të veprojë urgjentisht

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka hedhur akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje duke pretenduar se kjo parti prej vitesh është e koordinuar plotësisht me strukturat shtetërore të Serbisë, përkatësisht me SNS-në e presidentit Aleksandar Vuçiq.

Përmes një reagimi publik, Arifi ka deklaruar se prej vitesh ka paralajmëruar për rrezikun që, sipas tij, vjen nga emërimi i Ardita Sinanit si këshilltare në Kryeministrinë e Kosovës duke ngritur dyshime serioze për sigurinë e sekreteve shtetërore të Kosovës. Ai ka kërkuar që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) të ndërmarrë veprime të menjëhershme.

“Me vite kam shprehur frikën time për sekretet shtetërore të Kosovës, të cilat mund të jenë në duart e Ardita Sinanit dhe potencialisht t’i dorëzohen Serbisë”, ka theksuar Arifi.

Ai ka shkuar edhe më tej duke akuzuar se VV-ja, përmes asaj që ai i quan “spiunë dhe tradhtarë të dëshmuar prej dekadash në Luginën e Preshevës”, përfshirë Sinanin, Mustafën dhe Kamberin, mban kontakte dhe koordinim të vazhdueshëm me Serbinë.

Sipas Arifit, ky bashkëpunim ka kulmuar në vitin 2024, kur – siç pretendon ai – zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe diplomati serb Marko Gjuriq kanë arritur një marrëveshje politike në një darkë private në Bruksel, për shkarkimin e tij nga Qeveria e Serbisë, pa procedura ligjore dhe gjatë natës.

Në fund të reagimit të tij, Arifi ka drejtuar pyetje retorike ndaj kundërshtarëve politikë:

“Kush është tani spiun? Kush është tani me Daçiqin dhe Vuçiqin? Kush është tani i trushpëlarë?”

Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje apo institucionet e Kosovës lidhur me këto akuza. /Kosova.info/

Go to TOP