Reshjet shkaktojnë vështirësi në Suharekë, disa rrugë të bllokuar

Pas një nate me reshje intensive, të cilat kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, komuna e Suharekës është përballur me situatë të vështirësuar në disa zona. Si pasojë e sasisë së madhe të reshjeve, disa rrugë janë bllokuar, ndërsa qarkullimi i automjeteve është vështirësuar.

Autoritetet komunale bëjnë të ditur se ekipet e shërbimeve emergjente dhe ato të mirëmbajtjes kanë qenë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit, duke intervenuar në zonat e prekura.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka deklaruar se reshjet kanë filluar gjatë orëve të mesnatës dhe se nga orët e para të mëngjesit janë pranuar thirrje nga qytetarët për ndihmë. Sipas tij, në bashkëpunim me njësitë e zjarrfikësve, janë realizuar ndërhyrje në disa vendbanime, përfshirë fshatrat Gjinoc, Semetishtë dhe Peqan.

Ai bëri të ditur se një rrugë që lidh disa fshatra në këtë zonë është e bllokuar plotësisht, ndërsa Komuna ndodhet në gjendje gatishmërie për përballimin e situatës.

Sipas kryetarit Muharremaj, zonat më të rrezikuara mbeten Gryka e Semetishtit, e cila lidh komunën e Suharekës me atë të Malishevës, si dhe fshatrat përreth, përfshirë Breshancin, Semetishtën, Peqanin e Vogël, Reshtanin, si dhe zonat në drejtim të Toplluhës dhe Tërrnës, për shkak të pozicionit më të ulët gjeografik.

Nga Komuna e Suharekës u është bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin zonat e rrezikuara dhe të raportojnë çdo problem te shërbimet përkatëse.

Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se gjendja mbetet nën monitorim të vazhdueshëm dhe se do të ndërmerren masa shtesë nëse reshjet vazhdojnë edhe gjatë orëve në vijim.


Go to TOP