Haradinaj në Pejë premton pension të veteranëve sa paga minimale në vend

Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj në takim me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga rajoni i Dukagjinit prezantoi zotimet e tij për këtë kategori, duke përfshirë pagën prej 500 eurosh, të drejtën në punësim, trajtim shëndetësor dhe social, si dhe rregullimin me ligj të statusit të kategorive të dala nga lufta.

“Njëra nga rubrikat në këtë grafikë është për pagën e veteranit, që do të jetë sa paga minimale dhe do të rritet në vazhdimësi. Paga minimale është 500 euro, e nga aty do të shkoj përpjet”, tha ai.

Në fjalimin e tij, Haradinaj shpalosi edhe pikat kryesore të programit qeverisës me ç’rast theksoi se rritja e prodhimit vendor të energjisë elektrike do të jetë bazë për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të standardit të jetesës, ndërsa anëtarësimin në NATO e cilësoi si një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij.

“Unë ju siguroj që kemi me prodhuar energjinë në Kosovë me çmim të Kosovës”, tha Haradinaj.

Kryetari i AAK-së tha se partia e tij në këto zgjedhje paraqitet me listën më cilësore të kandidatëve, duke shtuar se për këtë arsye meriton mbështetjen e tyre.


Go to TOP