Hadergjonaj: Prishtina konfirmoi vullnetin për ndryshim – Zgjidh Shpresën, Voto LDK

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, Fadil Hadergjonaj “Bjeshka”, ka deklaruar se përmbyllja e fushatës elektorale sonte në Prishtinë dëshmoi qartë vullnetin qytetar për ndryshim të vërtetë në Kosovë.

Sipas Hadergjonajt, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë keqqeverisjen, keqpërdorimin e parasë publike, bllokadat institucionale dhe demagogjinë që, siç tha ai, e kanë karakterizuar udhëheqjen e deritanishme të vendit.

“Qytetarët duan institucione serioze, mirëqenie, siguri, sundim të ligjit dhe një ekonomi të zhvilluar. Pikërisht për këto vlera janë të vendosur për ndryshim”, u shpreh Hadergjonaj.

Ai theksoi se ndryshimi i vërtetë, sipas tij, vjen përmes LDK-së dhe Kryeministrit të ardhshëm, Lumir Abdixhikut duke ftuar qytetarët që të bashkohen masivisht në mbështetje të këtij vizioni.

“Vota juaj është vendimtare. Prandaj, ju ftoj të bashkohemi sa më shumë për t’ia dhënë Kosovës ndryshimin që i duhet. Zgjidh Shpresën. Voto LDK”, përfundoi kandidati i LDK-së për deputet, Fadil Hadergjonaj “Bjeshka”.

Ai kandidon me numrin 20 në listën e LDK-së, ndërsa numri i subjektit është 123. /Kosova.info/


Go to TOP