Abdixhiku nga Hajvalia dhe Istogu: 1.5 miliardë euro për Prishtinën, pensione dinjitoze dhe zhvillim pa bllokada

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vazhduar tubimet elektorale në Hajvali, Gollak dhe Istog duke theksuar dallimin e qartë mes vizionit të LDK-së për zhvillim dhe, siç u shpreh ai, politikave të bllokadës.

Në Hajvali, së bashku me kryetarin e Kryeqytetit Përparim Rama, Abdixhiku tha se LDK ka planifikuar plot 1.5 miliardë euro investime për Prishtinën, me projekte konkrete dhe pa pengesa politike. Ai theksoi se qytetarët e Kryeqytetit nuk pranojnë ta shohin Prishtinën të ndalur dhe të sabotuar, por të zhvilluar dhe funksionale.

Abdixhiku prezantoi projektet kryesore për Prishtinën duke përfshirë Unazën e Jashtme për lehtësimin e trafikut, investime të mëdha urbane, mësimin tërëditor për fëmijët, ndërtimin e Spitalit të Prishtinës, si dhe Qendrën e Sportit dhe Stadiumin Kombëtar. Sipas tij, këto janë investime që i japin Kryeqytetit identitet, funksionalitet dhe dinjitet evropian.

Ai vlerësoi gjithashtu kandidatët e Degës së Pestë të Prishtinës, Prof. Dr. Izet Sadikun dhe Vesa Haxhikadriu Berishën duke i cilësuar si përfaqësues me përgatitje profesionale, integritet dhe angazhim publik.

Ndërkohë, nga Istogu, Abdixhiku njoftoi zyrtarisht nisjen e fushatës elektorale të LDK-së duke rikujtuar mbështetjen e fuqishme qytetare në zgjedhjet lokale, ku LDK fitoi me rreth 60 për qind të votave. Ai u zotua për pensione dinjitoze prej 300 eurosh për secilin pensionist, përmes një rritjeje graduale gjatë tre viteve të qeverisjes.

Në këtë tubim, Abdixhiku prezantoi programin qeverisës të LDK-së duke e cilësuar si programin më të drejtë dhe më të përgjegjshëm për Kosovën, me fokus në familje, arsim, shëndetësi, ekonomi të fortë, vende pune dhe institucione funksionale.

Ai prezantoi edhe kandidatët e LDK-së nga Istogu: Prof. Dr. Serbeze Kabashi Muçajn, Shkëmb Shaban Manajn dhe Besim Mulajn, si dhe ish-deputetin Ukë Ibrahim Rugovën duke theksuar se ekipi i LDK-së përfaqëson dije, përvojë dhe integritet.

“Prishtina do të flasë sërish e para. Istogu flet me dinjitet. LDK është shpresa për zhvillim, jo bllokadë”, përfundoi Abdixhiku. /Kosova.info/

Go to TOP