Haziri nga Gjilani: Qyteti zgjodhi shpresën dhe besën, LDK-në për ndryshimin e madh
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Gjilani sonte zgjodhi shpresën dhe besën duke i dhënë mbështetje të plotë Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe duke shënuar zyrtarisht nisjen e fushatës elektorale.
Në një tubim të mbajtur në Gjilan, Haziri tha se qytetarët u bashkuan për ta shkaktuar ndryshimin e madh duke refuzuar, siç u shpreh ai, “terrën politik dhe gropën politike” ku është futur vendi. Sipas tij, gjilanasit nuk pranojnë një qeverisje që polarizon shoqërinë dhe përçan familjet kosovare.
“Ne, besimtarët e Rugovës dhe gardianët e Republikës, e kemi mbajtur fjalën e dhënë. Nuk u bashkuam me qeverisjen e keqe dhe me ata që kanë polarizuar skenën politike. Për LDK-në, familja, atdheu dhe besimi janë të shenjta”, theksoi Haziri.
Duke kujtuar se dhjetori është muaj i rëndësishëm për LDK-në, vetëm pak ditë pas përvjetorit të themelimit të saj, Haziri kërkoi mbështetje masive që data 28 dhjetor të shndërrohet në ditë feste dhe manifestimi, me besim e dashni për Gjilanin dhe Anamoravën.
Ai shtoi se përfaqësuesit e LDK-së do të jenë gardianë të projekteve zhvillimore të Gjilanit dhe Anamoravës në Kuvendin e Republikës duke premtuar se besimin e qytetarëve do ta kthejnë me punë të ndershme dhe rezultate konkrete.
“Besimin tuaj do t’ua kthejmë veç me dashni e punë të hajrit për Gjilanin. Do të mbetem gjithmonë, Luta juaj”, përfundoi Haziri. /Kosova.info/
