Hoti: Kurti na sheh si problem sepse ia kemi demaskuar mashtrimet, më 28 dhjetor përfundon politika e pazareve
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti e konsideron atë dhe deputeten Hykmete Bajrami si problem politik, pasi, sipas tij, për pesë vite me radhë kanë demaskuar mashtrimet e tij dhe të ministrave të qeverisë aktuale.
Hoti tha se puna dhe vendimet e LDK-së gjatë qeverisjes së saj mbahen mend nga qytetarët dhe komuniteti i biznesit duke theksuar se që nga ajo periudhë ekonomia e vendit ka hyrë në regres.
“Atë që e ka bërë LDK-ja, Hykmete Bajrami dhe unë në qeverisjen tonë mbahet mend nga qytetarët dhe bizneset. Që nga ajo kohë, ekonomia ka pësuar vetëm regres”, u shpreh Hoti.
Ai kritikoi ashpër mënyrën e qeverisjes aktuale duke e cilësuar atë si politikë të pazareve dhe vendimmarrjeve jo transparente, të cilat, sipas tij, po dëmtojnë vendin.
“Jam i bindur se mendësia e pazareve të WhatsApp-it do të përfundojë më 28 dhjetor, sepse qytetarët nuk i durojnë më mashtrimet”, përfundoi Hoti. /Kosova.info/
