Peci: “Më shumë armë në oda se në kazerma” – folklor elektoral dhe shtrembërim i shtetndërtimit

Analisti Lulzim Peci ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili në një tubim zgjedhor në Zvicër tha se para ardhjes së tij në pushtet “më shumë armatim kishte në odat e Kosovës sesa në kazermat e ushtrisë”. Sipas Pecit, kjo deklaratë është më shumë folklor elektoral sesa pasqyrim real i së kaluarës dhe së tashmes së sigurisë në Kosovë.

Ai thekson se sipas një studimi të UNDP-së të vitit 2003, në duart e qytetarëve të Kosovës vlerësohej se kishte rreth 330–420 mijë armë të lehta dhe të vogla, të justifikuara atëkohë me të kaluarën e dhunshme dhe ndjenjën e pasigurisë. Megjithatë, Peci nënvizon se shumica e këtyre armëve janë vënë nën kontroll ligjor ose janë dorëzuar përmes mekanizmave të Policisë së Kosovës duke e cilësuar këtë si një arritje madhore të shtetndërtimit dhe sigurisë publike.

Në anën tjetër, ai rikujton se Forca e Sigurisë së Kosovës u shndërrua ligjërisht në forcë mbrojtëse me karakter ushtarak më 14 dhjetor 2018, në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe se ky proces u finalizua politikisht gjatë qeverisjes së Ramush Haradinajt. “Kurti nuk e krijoi ushtrinë – ai e gjeti atë si realitet ligjor dhe faktik, me detyrim që ta armatoste sipas dinamikës së dakorduar me SHBA-të,” thekson Peci.

Sipas tij, përshpejtimi i armatimit të FSK-së pas agresionit rus në Ukrainë po shndërrohet padrejtësisht në marketing politik nga VV-ja duke lënë në hije faktin se ushtria nuk ndërtohet vetëm me armë, por me kuadro të shkolluara, doktrinë moderne dhe organizim profesional – elemente që, siç thotë ai, janë ndërtuar vite më parë në bashkëpunim me shkollat elitare perëndimore.

Peci paralajmëron se për një shtet të vogël si Kosova, edhe armatosja optimale është e pamjaftueshme pa aleatë të fuqishëm duke përmendur gabime të panevojshme dhe tensione që kanë çuar deri te përjashtimi i FSK-së nga Defender 2023, si dhe rikthimin në zotime të vjetra për të shmangur përplasjet me NATO-n.

Ai thekson se, ndonëse qeveria Kurti është nën sanksione nga SHBA-të, FSK-ja po mbetet jashtë tyre për shkak të profesionalizmit dhe partneritetit serioz me Uashingtonin. Megjithatë, sipas Pecit, edhe ky partneritet ka kufijtë e vet nëse vazhdohet me instrumentalizim politik.

“Në fund, të thuash ‘më shumë armatim në oda se në kazerma’ tregon mungesë respekti për ushtrinë profesionale dhe për shtetndërtimin,” përfundon Peci duke e cilësuar zëvendësimin e detyrimeve ligjore me fraza elektorale si papërgjegjësi politike që nuk i shërben as vendit dhe as FSK-së. /Kosova.info/

Go to TOP