Një i plagosur nga arma e zjarrit në Pejë
Një person është plagosur nga arma e zjarrit në Pejë në mbrëmjen e së dielës, ndërsa i dyshuari është shoqëruar për në stacion policor.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur se rasti është raportuar pas orës 19:00, kur Policia është njoftuar nga Spitali i Pejës për një person të lënduar nga arma e zjarrit.
Sipas dyshimeve të para, plagosja ka ndodhur aksidentalisht nga një person tjetër. I lënduari ka marrë trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Pas orës 19:00 policia është njoftuar nga Spitali i Pejës se një person ka shkuar atje i lënduar nga arma e zjarrit. Ai dyshohet se është plagosur aksidentalisht nga një person. I plagosuri është jashtë rrezikut për jetë, ndërkaq i dyshuari është shoqëruar për në stacion policor, ku pritet të intervistohet”, ka deklaruar Gashi.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit. /Kosova.info/
