Kica Xhelili për Abdixhikun: Model i lidershipit që Kosova e meriton
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u zyrtarizua nominimi i kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Deputetja Doarsa R. Kica e cilësoi këtë nominim si një hap të natyrshëm dhe të merituar duke vlerësuar figurën politike dhe njerëzore të Abdixhikut.
Sipas Kicës, Abdixhiku mishëron një politikë të së ardhmes – të matur, të ndershme dhe të përqendruar te qytetari. Ajo theksoi se ai ndërton besim përmes dialogut, jo përçarjes, dhe se e sheh qeverisjen si shërbim të ndershëm ndaj njerëzve, jo si spektakël politik.
Me përvojën e një ekonomisti që i kupton sistemet, me identitetin e një të djathti që respekton institucione dhe me devotshmërinë e një qytetari e familjari që i njeh realisht sfidat e përditshme, Abdixhiku – sipas Kicës – përfaqëson modelin e lidershipit që i duhet dhe e meriton Kosova: “të përgjegjshëm, reformues dhe thellësisht demokratik”.
Nominimi i tij shënon fillimin e fazës finale të përgatitjeve të LDK-së për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa mesazhi i partisë mbetet i qartë: rikthim i stabilitetit, besimit dhe qeverisjes me vlera evropiane. /Kosova.info/
