Abdixhiku: 28 dhjetori është dita kur nisim rrugën e re
Kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka nominuar sonte me unanimitet të plotë kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, si kandidat për Kryeministër të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Nominimin, Abdixhiku e ka cilësuar si nderin më të madh politik që mund t’i jepet një individi duke theksuar se mbi të gjitha ai përfaqëson përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe së ardhmes së vendit.
Në fjalimin e tij, Abdixhiku tha se Kosova po hyn në një moment vendimtar, pas një periudhe të bllokadave, përçarjeve dhe improvizimeve. Ai deklaroi se vendi ka nevojë për kthjelltësi politike, përvojë, seriozitet dhe një vizion të qartë euroatlantik.
“Ka nevojë për qeveri që punon, jo që improvizon; që bashkon, jo që ndan; që ndërton, jo që shemb,” theksoi ai duke shtuar se LDK-ja hyn në zgjedhje me një ofertë shtetformuese, program të plotë zhvillimor dhe një ekip të përgatitur për të nxjerrë vendin nga kriza.
Abdixhiku falënderoi Kryesinë për besimin e dhënë dhe për unitetin që, sipas tij, i ka bërë edhe më të fortë në këtë proces zgjedhor. Ai u drejtua edhe qytetarëve të Kosovës duke i ftuar të bashkohen rreth një vizioni të ri për një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më europiane.
“Nëse besoni se e ardhmja e fëmijëve tanë duhet ndërtuar mbi punë, dije dhe vlera – atëherë ju ftoj të bashkohemi. Të bashkohemi për Kosovën. Të bashkohemi për një qeveri serioze,” theksoi Abdixhiku.
Ai përmbylli fjalën me mesazhin se 28 dhjetori do të jetë dita kur nis rruga e re për vendin duke deklaruar se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë me përulësi dhe vendosmëri. /Kosova.info/
