Kurti: Alfabeti në Manastir, kurorëzim i evolucionit të shkrimit shqip
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e 117-vjetorit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në një organizimi të qeverisë së Maqedonisë së Veriut në Manastir, aty ku u mbajt kongresi historik i vitit 1908.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në 117 vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqip, tha se që nga Kongresi i Manastirit më 1908 e deri te Kongresi i Drejtshkrimit të vitit 1972, kemi përpjekjet për të njësuar shkrimin e shqipes, jo thjesht për arsye operative, por edhe për një arsye tjetër: që përkundër ndarjeve politike, krahinore, ideologjike, shqiptarët të bashkoheshin te gjuha, sepse lëvrimi i njëkohshëm i gjuhës së shkruar, do të ishte dhe është ende kushti për të përballuar dhe kapërcyer efektet e ndarjeve të tjera.
“Kombi nuk është në të kaluarën, është në të tashmen dhe në të ardhmen. Përveçse masë njerëzore, është edhe frymë që e kthen masën njerëzore në një bashkësi. Bashkë na bën gjuha si fakt i natyrshëm, politikisht bashkë na bën shkrimi i njësuar i saj’, tha ai.
Sipas tij, çdo vit kujtojmë 22 nëntorin si Ditë të Alfabetit. “Prandaj Manastiri i bashkëngjitet Prizrenit e Vlorës si tre vendndodhje të rëndësishme të historisë sonë. Përkujtimi brenda javës edhe i Kongresit të Manastirit, edhe i Kuvendit të Vlorës, lidh bashkë gjuhën e kulturën me idenë e lirisë dhe të vetëvendosjes. Të dyja datat na përcjellin kujtesën, amanetin, vullnetin për të përjetësuar njësimin dhe zhvillimin e shqiptarëve”, tha Kurti. /Kosova.info/
