Zbulohet prania e salmonelës në mish pule të importuar nga Rumania – AUV asgjëson ngarkesën në Prizren

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV) ka njoftuar sot se gjatë një kontrolli rutinë, në një ngarkesë të produktit MDM pule të importuar nga Rumania dhe të destinuar për tregun e Prizrenit, është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.

Sipas komunikatës zyrtare, zbulimi është bërë pas një njoftimi të pranuar nga Sistemi i Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqim (RASFF). Gjatë inspektimeve laboratorike është vërtetuar ekzistenca e salmonelës në një sasi prej 27.7 kilogramë mish pule.

Menjëherë pas konstatimit të rastit, AUV ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore, duke asgjesuar plotësisht sasinë e importit nga lloti që ka rezultuar pozitiv, në përputhje me procedurat e sigurisë ushqimore.

“AUV po e monitoron me kujdes të shtuar situatën dhe është në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendore, ndërkombëtare dhe bizneset që merren me importin e mishit, për të identifikuar dhe parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen,” thuhet në njoftimin e agjencisë.

Institucioni siguron qytetarët se siguria ushqimore mbetet prioriteti kryesor, ndërsa publiku do të informohet në kohë reale për çdo zhvillim të ri që lidhet me këtë çështje./Kosova.info/

Go to TOP