Hill: Thaçi s’mund t’i lëvizte gjërat brenda UÇK-së

Christopher Hill, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor, ka thënë se nëse shikohet historiku i formimit të Hashim Thaçit, nuk ka asgjë që sugjeron se ai mund të lëvizte gjërat brenda për brenda UÇK-së.

Sipas ish-diplomatit, në pikëpamjen e jashtme, Thaçi e kuptonte se si funksiononte bota dhe sa e rëndësishme ishte që ShBA-të të ishin në anën e tyre.

“Përshtypja ime është që nëse do shikoni historikun e Thaçit se çfarë formimi ka ai nuk ka asgjë që ai mund të lëvizte gjërat brenda për brenda UÇK-së por në pikëpamjen e jashtme ai e kuptonte se si funksiononte bota dhe e kuptonte se sa e rëndësishme ishte që SHBA-të të ishin në anën e tyre”, deklaroi ai para trupit gjykues.

Hill, i pyetur se a pajtohet se UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare e armatosur, e pohoi por tha se shtrohet pyetja se sa e integruar ishte UÇK-ja.

“Po, por pyetja që shtrohet është se sa e integruar ishte UÇK-ja krahasimisht me grupe të tjera të ndryshme që lidheshin vetëm me të por vepronin sipas kokës së tyre dhe urdhrave të tyre”, tha Hill.

Duke qenë fjala për një lëvizje të armatosur, amerikani u pyet se cila është ndasia në mes një lideri politik dhe një udhëheqësi ushtarak në kuadër të një lëvizje çlirimtare të armatosur.

“Udhëheqësi politik është një person që luan një rol të ministrit të Punëve të Jashtme dhe nuk është përgjegjës për çështjet e brendshme”, deklaroi ai.

Go to TOP