Nagavci: LVV është fituese e zgjedhjeve, po qeverisim me shtatë komuna
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se subjekti i saj politik ka dalë fitues i zgjedhjeve lokale, duke e cilësuar këtë si një sukses të rëndësishëm për partinë.
“Sipas rezultateve, LVV është fituese e zgjedhjeve. Nga katër komuna që kishim më parë, tash i kemi fituar shtatë,” ka thënë Nagavci.
Ajo ka shtuar se me votë popullore, Lëvizja Vetëvendosje mbetet e para si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal.
“LVV ka fituar komuna që më herët drejtoheshin nga partitë e tjera, përfshirë Fushë Kosovën dhe Obiliqin nga LDK-ja, si dhe Mitrovicën e Jugut nga PDK-ja,” ka theksuar deputetja Nagavci.
Sipas saj, rezultatet e këtyre zgjedhjeve tregojnë se qytetarët kanë besim në Vetëvendosjen dhe në mënyrën se si ajo po udhëheq me institucionet.
