Mihali: PDK e njeh mirë ‘teknikën e trenit bullgar’, por kjo është hera e fundit që i funksionon

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka reaguar ndaj deklaratave të përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) duke i akuzuar ata për manipulime zgjedhore dhe praktika të vjetra korruptive.

“Sa mirë e dinë krejt drejtuesit e PDK teknikën e ‘trenit bullgar’. Në çdo tv duke e treguar se si e nxjerr fletën edhe si merr para me atë fletë. Sikur ta kishin bërë vet,” ka shkruar Mihali.

Ajo tha se përderisa komisionerët dhe vëzhguesit e VV-së janë në çdo qendër votimi, asnjë tentativë manipulimi nuk mund të ndodhë. “Po edhe këta e dinë mirë se sa të ketë komisionerë e vëzhgues të VV, nuk munden në klasë e në kuti me bë diçka,” shtoi ajo.

Sipas Mihalit, PDK ka tentuar të sigurojë mbështetje përmes punësimeve të rreme në biznese dhe ndërmarrje publike lokale gjatë vitit të fundit. “Prandaj këta, pra drejtuesit e PDK, kudo ku janë në garë kanë ‘punu’ me ‘punësime’ fake veç për pare qe 1 vit. E dinë bizneset dhe ndërmarrjet publike lokale se çka kanë bë PDK me mbledh mbështetje,” theksoi ajo.

Në fund, Mihali u shpreh se kjo do të jetë hera e fundit që PDK ia del me metoda të tilla. “Po kjo është hera e fundit që PDK ia del me këtë metodë. E fundit,” përfundoi ajo. /Kosova.info/


Go to TOP