Abdixhiku refuzon dorëheqjen e Xhafer Gashit: LDK nuk i braktis njerëzit e saj në momentet e vështira

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka refuzuar dorëheqjen morale të kryetarit të Degës së LDK-së në Obiliq, Xhafer Gashi, pas rezultatit të zgjedhjeve lokale.

Abdixhiku ka vlerësuar se humbjet, sikurse fitoret, janë pjesë e një rrugëtimi të gjatë politik, ndërsa ka theksuar se qëllimi i përbashkët është gjithmonë më i madh se çdo betejë e vetme.

“Katër vite më parë LDK në Obiliq ishte parti me vetëm 10%. Gjatë rrugës u bashkuam me Xhafer Gashin, por nuk arritëm bashkë ta bashkojmë shumicën e Obiliqit me ne. Gjithsesi, sot LDK në Obiliq është parti e parë me plot 46% dhe kjo arritje është meritë vetëm e Xhafës dhe ekipit që ai ka,” tha Abdixhiku.

Ai e ka cilësuar Gashin si një prej njerëzve që nuk dorëzohen para vështirësive duke theksuar se është njeri i fjalës, i punës dhe i përkushtimit të heshtur ndaj qytetarëve.

“LDK nuk i braktis njerëzit e saj në një moment të vështirë; përkundrazi, di të trajtojë edhe fitoren edhe humbjen me plot dinjitet,” ka shtuar ai duke konfirmuar se Xhafer Gashi do të vazhdojë në pozitat e tij brenda Degës së LDK-së në Obiliq, si dhe në Kryesi e Këshill të Përgjithshëm të partisë. /Kosova.info/

Go to TOP