Behrami: Në Mitrovicë s’ka pasur tren bullgar, por tren qeveritar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Behrami, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve zgjedhore në Mitrovicë duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për manipulim të organizuar të rezultatit.

Sipas Behramit, në pesë vitet e fundit Kurti “e ka suspenduar logjikën duke injektuar inatin, përçarjen dhe urrejtjen në shoqëri”, dhe se zgjedhjet lokale janë reflektim i këtij klimë politike.

“Kurti ka shfrytëzuar krejt potencialin shtetëror, grupe të nëntokës e grupe kriminale për të fabrikuar një fitore, e cila ditëve në vijim mund të shndërrohet në skandalin më të madh zgjedhor në historinë e Kosovës së pasluftës,” ka thënë Behrami.

Ai ka deklaruar se në procesin e numërimit në Mitrovicë janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt, një shenjë e qartë – sipas tij – e trafikimit të fletëvotimeve dhe fenomenit të njohur si “treni bullgar”.

“Në Mitrovicë nuk ka pasur tren bullgar, aty ka pasur tren qeveritar. Një fabrikim shtetëror, jo individual,” ka theksuar deputeti i Vetëvendosjes duke shtuar se masiviteti i këtij fenomeni është “i frikshëm” dhe tregon për një sistem të organizuar nga “institucionet e okupuara”.

Behrami ka bërë thirrje për mbikëqyrje të vazhdueshme të procesit të numërimit nga afër:

“Ftoj vëzhgues ndërkombëtarë, organizata joqeveritare dhe mediat që 24 orë të monitorojnë numërimin në QNR në Mitrovicë. Krimi zgjedhor në Mitrovicë do të ekspozohet i plotë, ashtu siç ka qenë,” ka përfunduar ai. /Kosova.info/


Go to TOP