Demokracia Konservatore Qendra Prishtinë: Prishtina ka nevojë për ndryshim
Demokracia Konservatore – Qendra Prishtinë ka bërë të ditur se në balotazhin e 9 nëntorit do të përkrahë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës.
Në një deklaratë publike, ky subjekt thekson se vendimi është marrë pas shumë diskutimeve me strukturat e brendshme dhe pas dëgjimit të zërit të qytetarëve.
“Sfida jonë nuk është për interesa apo marrëveshje politike, por për një arsye të vetme – Prishtina ka nevojë për ndryshim,” thuhet në njoftim.
Sipas tyre, për vite me radhë qyteti është mbajtur peng nga grupe të interesit që e kanë parë Prishtinën si pronë të tyre, duke bllokuar zhvillimin dhe projektet që duhej të ishin në shërbim të qytetarëve.
“Është koha që kjo të marrë fund. Prishtina nuk ka nevojë për ankesa, arsyetime e propagandë, por për punë konkrete, vizion dhe drejtim të qartë,” shtohet më tej në deklaratë.
Demokracia Konservatore – Qendra Prishtinë nënvizon se si subjekt konservator beson në rend, përgjegjësi dhe vendimmarrje të ndershme, ndaj e sheh të drejtë të qëndrojë në anën e ndryshimit.
“Ne jemi me vizionin, jo me ankesat. Ne jemi me punën, jo me llafet. Ne jemi me ndryshimin, jo me të njëjtën qeverisje që ka lodhur Prishtinën,” përfundon deklarata e tyre. /Kosova.info/
