Vitia nuk pranon leksione nga ata që ia dorëzuan Kërçovën maqedonasve!
Shkruan: Emanuel Demaj
Z. Izet Mexhiti, një figurë politike nga Maqedonia e Veriut, i cili së fundi ka fituar disa komuna shqiptare atje, po përpiqet tani të japë “mësime politike” edhe në Kosovë. Por para se të vijë në Viti për të treguar kujt duhet dhënë përkrahje, do të ishte mirë të kujtohej se në balotazhet vendimtare në Maqedoni, pikërisht ai ishte ai që u rreshtua në krah të partive maqedonase , duke bërë që pas shumë vitesh, Kërçova të kalojë në duart e një kryetari maqedonas.
Ky veprim i z. Mexhiti nuk ishte thjesht një gabim politik, por një tregues i qartë se interesi personal dhe ruajtja e pozitës në qeverinë e Mickovskit vlejnë më shumë për të sesa uniteti dhe interesi kombëtar shqiptar.
E sot, i njëjti njeri vjen në Viti për të mbështetur kandidatin e Vetëvendosjes , partinë që vetë kontribuoi në përçarjen e shqiptarëve në Maqedoni. Mesa duket, kjo është vetëm kthimi i një “borxhi politik” ndaj Albin Kurtit, dhe jo ndonjë shqetësim i sinqertë për qytetarët e Vitisë.
Por Vitia di të dallojë,di kush ka punuar me përkushtim e vepra konkrete për këtë qytet dhe kush vjen thjesht për fotografi e fjalime boshe.
Vitia nuk ka nevojë për leksione nga ata që, për interesa personale, ndihmuan që qytetet shqiptare të bien në duar të maqedonasit pas 20 viteve!/Kosova.info/
