Totaj: Koalicioni me LDK-në, bashkë për një Prizren më të zhvilluar

Kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) duke e vlerësuar këtë hap si një shembull të bashkimit për të mirën e qytetit.

Në një postim drejtuar qytetarëve dhe përkrahësve të PDK-së, Totaj tha se rezultati i rundit të parë të zgjedhjeve ka treguar besimin e qytetarëve për ta vazhduar rrugëtimin me projekte konkrete dhe zhvillim të qëndrueshëm në Prizren.

“Rezultati i rundit të parë tregoi qartë besimin për të vazhduar edhe një mandat me punë të mira e vepra konkrete për Prizrenin. Mbështetja e treguar në çdo lagje, kudo në qytet e fshat, ishte dëshmia e rrugës së drejt që kemi ndjekur,” tha Totaj.

Ai theksoi se gjatë mandatit të parë ka ndjekur parimin e gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit me profesionistë të bindjeve të ndryshme politike duke respektuar ligjin, barazinë dhe drejtësinë.

Lidhur me marrëveshjen e re politike, Totaj u shpreh i bindur se bashkëpunimi me LDK-në do të sjellë ide të reja dhe përvojë shtesë për të avancuar zhvillimin e qytetit.

“Sot jam i lumtur ta ndaj lajmin e arritjes së koalicionit për bashkëqeverisje me LDK-në, i bindur se idetë e reja dhe përvoja e kësaj force politike do t’i shërbejnë Prizrenit edhe më shumë. E falënderoj udhëheqjen e kësaj partie dhe kryetarin e degës në Prizren, Driton Selmanaj, për besimin dhe mbështetjen në balotazh,” theksoi ai.

Në fund, Totaj uroi qytetarët dhe tha se koalicioni PDK–LDK do të punojë bashkë për “Prizrenin e të gjithëve dhe për të gjithë”. /Kosova.info/

Go to TOP