Rama: KFOR mbetet garancia e paqes dhe stabilitetit në Kosovë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur mirënjohje për rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe rajon për më shumë se dy dekada.
Në një reagim të tij, Rama falënderoi Gjeneralmajor Enrico Barduani për shërbimin e dhënë si komandant i KFOR-it dhe uroi sukses pasardhësin e tij, Gjeneralmajor Özkan Ulutaş, i cili mori zyrtarisht detyrën e re.
“KFOR është garancia e paqes, sigurisë dhe stabilitetit për Kosovën dhe rajonin. Ky angazhim është garancia më e fortë për një të ardhme të qetë dhe të sigurt për gjeneratat që vijnë,” u shpreh Rama.
Ai shtoi se partneriteti me KFOR-in mbetet një shtyllë e rëndësishme për sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës. /Kosova.info/
