Uran Ismaili prezanton planin për “Rrugë të sigurta, 24/7” në Prishtinë

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka prezantuar një nga pesë zgjidhjet e tij për një Prishtinë funksionale, të quajtur “Rrugë të sigurta, 24/7” shkruan, kosova.info.

Ismaili tha se problemet kryesore të sigurisë në kryeqytet lidhen me mungesën e ndriçimit publik në lagje, numrin e madh të qenve endacakë dhe mungesën e trotuareve funksionale. Sipas tij, kjo situatë ka bërë që sidomos gratë, fëmijët dhe të moshuarit të ndihen të pasigurt dhe shpesh të izolohen nga jeta komunitare pas errësirës.

Plani i tij për “Rrugë të sigurta 24/7” parasheh:

  • Ndriçimin e mbi 1,000 rrugëve shtesë;
  • Ndërtimin e 450 kilometrave trotuare të reja dhe riparimin e atyre ekzistuese;
  • Kapjen, sterilizimin, vaksinimin dhe regjistrimin e 5,000 qenve endacakë, duke ulur për gjysmë popullsinë e tyre;
  • Vendosjen e 200 oficerëve të trajnuar të sigurisë në shkolla fillore e të mesme.

Në konferencë foli edhe Besianë Musmurati, ish-drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës dhe kandidate për Asamble, e cila ndau përvojën e saj personale si nënë e re.

“Pasiguria nuk është veç perceptim; ajo është bërë realitet i përditshëm. Ecja me karrocë fëmije në Prishtinë shpesh është pothuajse sport olimpik – trotuaret ose mungojnë, ose janë të prishura, ose janë të zëna me vetura. Vetëm 20% e rrugëve tona kanë trotuare funksionale,” deklaroi Musmurati.

Ajo shtoi se, sipas saj, kryetari aktual është më shumë i fokusuar në projekte pronash dhe paraqitje vizuale, ndërsa familjet e kryeqytetit përballen çdo ditë me probleme bazike si ndriçimi, qentë endacakë dhe siguria në shkolla.

Musmurati theksoi se është bashkuar me Uran Ismailin për shkak se ai e ka vendosur sigurinë në qendër të programit të tij për Prishtinën./Kosova.info/

Go to TOP