Rama nderon figurat amerikane që mbështetën lirinë e Kosovës

Me rastin e shënimit të 35-vjetorit të vizitës historike të senatorëve amerikanë në Kosovë, Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, zhvilloi sot një vizitë përkujtimore në disa prej pikave më simbolike të Prishtinës duke nderuar figurat që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës:

• Te busti i Senatorit Robert Dole – në nderim të mbështetjes së tij të jashtëzakonshme për lirinë dhe demokracinë e Kosovës.
• Te plaka përkujtimore e Robert Dole – duke theksuar rolin e tij historik në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
• Te busti i Sekretares Madeleine Albright – në kujtim të kontributit vendimtar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Kjo vizitë shënon një moment të veçantë të kujtesës dhe mirënjohjes ndaj përkrahjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara për popullin e Kosovës.

Kryetari Rama theksoi se mirënjohja për miqtë amerikanë mbetet e përhershme, duke shtuar se kujtesa për figurat që i dhanë zë lirisë së Kosovës është pjesë e identitetit dhe historisë sonë.

“Përjetë falënderues për miqësinë dhe mbështetjen e SHBA-së, ne sot nderojmë figurat që me veprën dhe vizionin e tyre bënë të mundur lirinë tonë. Ky është një mesazh i fortë për brezat që vijnë, që Kosova kurrë nuk harron miqtë e saj,” u shpreh kryetari Rama. /Kosova.info/

Go to TOP