Rama: Prishtina nis matjen në kohë reale të cilësisë së ajrit përmes projektit “Smart City”

Kryeqyteti ka bërë një hap të rëndësishëm drejt monitorimit modern të mjedisit. Përmes projektit “Prishtina Smart City”, qytetarët tashmë kanë mundësi të shohin në kohë reale nivelin e cilësisë së ajrit në Prishtinë.

Sensorët e vendosur në pika të ndryshme matin grimcat PM2.5, PM10, ozonin dhe faktorë të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njerëzve.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se ky projekt i jep qytetarëve informacion të saktë dhe të menjëhershëm për gjendjen e ajrit duke i ndihmuar ata të bëjnë zgjedhje më të sigurta në përditshmërinë e tyre.

“Kur ajri është i pastër, shëtitja, biçikleta apo sporti në natyrë janë zgjedhja perfekte. Në ditët kur treguesit janë të lartë, qytetarët duhet të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit”, tha Rama.

Sipas tij, ky projekt është dëshmi se transformimi digjital nuk është vetëm vizion për të ardhmen, por realitet i tashëm për kryeqytetin.

“Ne e çojmë Prishtinën përtej të zakonshmes”, shtoi kryetari. /Kosova.info/

Go to TOP