Hoti: Gjykata Kushtetuese ka kurthuar Kuvendin – shumica duhet të vendosë, jo partia e parë
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me procesin e konstituivit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se vendimi i vitit 2014 ka krijuar një ngërç artificial dhe antidemokratik.
Në një deklaratë të gjatë, Hoti thekson se me aktgjykimin e vitit 2014 – i cili po citohet sërish në vendimin e datës 26 qershor 2025 – Gjykata i ka dhënë partisë së parë të dalë nga zgjedhjet të drejtën ekskluzive për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, duke anashkaluar dy parime themelore të demokracisë parlamentare: parimin e shumicës dhe mandatin e lirë të deputetit.
“Si është e mundur që 80 deputetë – që mund ta ndryshojnë edhe Kushtetutën – të mos mund të propozojnë dhe votojnë një kandidat, vetëm sepse partia e parë nuk e bën këtë?”, pyet Hoti, duke e quajtur këtë një cenim të rëndë të logjikës parlamentare.
Sipas tij, Gjykata ka kufizuar të drejtën kushtetuese të deputetit, i cili tani është i detyruar të votojë vetëm kandidatin që vjen nga partia e parë, edhe nëse ekziston një shumicë e qartë për një kandidat tjetër.
Hoti propozon një zgjidhje të balancuar: e drejta automatike e propozimit për partinë e parë duhet të jetë e kufizuar në kohë, ashtu siç ndodh me mandatarin për formimin e Qeverisë. Pas skadimit të afatit të arsyeshëm, kjo e drejtë duhet t’i kalojë çdo subjekti që arrin të sigurojë shumicën parlamentare.
“Kjo është në përputhje me frymën kushtetuese, me praktikat evropiane dhe me parimet bazë të demokracisë parlamentare”, theksoi ai.
Duke iu referuar diskutimeve të fundit për kthimin e seancës konstituive në datën kur u ndërrua rendi i ditës nga kryesuesi i përkohshëm, Hoti përfundon: “Sado që të rrotullohet çështja, parimi është një – shumica vendos.”
Ai nënvizon se vetëm një zgjidhje që garanton të drejtën e shumicës për të vepruar, respekton mandatin e deputetëve dhe shmang përsëritjen e krizave politike të tilla në të ardhmen. /Kosova.info/
