Rama nderon Avni Ponarin: Krijoi një popull që krenohet me basketbollin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka nderuar me mirënjohje Avni Ponarin, një prej figurave më të rëndësishme të basketbollit në Kosovë. Në një ceremoni simbolike, Rama vlerësoi kontributin e Ponarit në ndërtimin e identitetit sportiv të kryeqytetit duke theksuar se ai nuk e pa basketbollin thjesht si lojë, por si një vullnet të përbashkët që bashkoi njerëzit.
“Prej atyre që e shihnin nga tribuna, ai krijoi një popull që me të krenohet,” tha Rama duke shtuar se Prishtina sot është krenare për trashëgiminë që ka lënë Ponari në këtë sport.
Mirënjohja u dha në emër të Kryeqytetit, si shenjë falënderimi për rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Ponarit dhe ndikimin e tij të pashlyeshëm në zhvillimin e basketbollit në vend. /Kosova.info/
