Ushtrimi njëkohësisht i detyrës së deputetit dhe të ministrit është i kundërligjshëm
Vendimi i Gjykatës Supreme, ku theksohet se ministrat në detyrë, të cilët janë certifikuar edhe si deputetë, nuk mund të ushtrojnë më funksione ekzekutive, po konsiderohet si një precedent i rëndësishëm që do të vendosë standarde të reja edhe për qeveritë e ardhshme në detyrë. Sipas monitoruesve të sistemit të drejtësisë, vendimi i Supremes do t’i ndalë ndërhyrjet politike në vendimmarrjen administrative dhe në respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve në praktikë. Të njëjtit kritikojnë qeverinë në detyrë për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë pas reagimit të tyre kundër vendimit të Supremes.
Gjykata Supreme të martën ka hedhur poshtë një Udhëzim Administrativ për arkat fiskale nga ministri në detyrë i Financave, Punws dhe Transfereve, Hekuran Murati. Sipas aktgjykimit të saj, ministrat që janë edhe deputetë nuk mund të nxjerrin akte nënligjore, pasi kjo bie ndesh me dispozitat kushtetuese.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj thotë për KosovaPress se Gjykata Supreme me të drejtë ka shpallur të paligjshëm udhëzimin e Ministrisë së Financave, pasi sipas tij, i njëjti është ndërmarrë nga një zyrtar pa mandat të vlefshëm dhe në papajtueshmëri të qartë funksionale.
Sipas tij, një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe shkel dispozitat kushtetuese.
Jakaj: Vendimi i Supremes precedent i rëndësishëm, vendos standarde të reja edhe për qeveritë e ardhshme në detyrë
“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Supreme ka krijuar një precedent të rëndësishëm për t’i ndalur ndërhyrjet politike në vendimmarrjen administrative dhe për të vendosur standarde të reja në respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve në praktikë. Ky aktgjykim do të jetë gjithashtu precedent edhe për qeveritë e ardhshme, të cilat mund të jenë në detyrë. Ne vlerësojmë se Gjykata Supreme, me të drejtë, ka vendosur se nxjerrja e udhëzimit administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese. Kësisoj, udhëzimi i tillë është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar, pasi është ndërmarrë nga një zyrtar pa mandat të vlefshëm dhe në papajtueshmëri të qartë funksionale”, thekson ai.
Në anën tjetër, ish-kryetari i Gjykatës Supreme, profesori universitar Fejzullah Hasani, thotë për KosovaPress se Supremja ka vendosur drejt, kur ka theksuar se një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është në kundërshtim me Kushtetutën.
Hasani: Hartimi i akteve nënligjore është jashtë mandatit të ministrave në detyrë që janë certifikuar edhe si deputetë
“Nuk e vë në diskutim profesionalizmin e Gjykatës Supreme dhe vendimin e tyre. Ai vendim nuk do të duhej dhe nuk guxon të komentohet nga askush, mirëpo duhet të zbatohet në përpikëri, ashtu siç është shkruar në vendim. Jam shumë i bindur se Gjykata Supreme, kur ka nxjerrë përfundime të tilla se ministrat që aktualisht janë në detyrë, pavarësisht se janë certifikuar si deputetë, nuk kam asnjë dilemë se ajo është bazuar në ligj dhe në rregullat që rregullojnë çështje të tilla. Ashtu siç ka përfunduar edhe vetë Gjykata Supreme, se udhëzime të tilla janë jashtë mandatit të tyre, pasi janë certifikuar si deputetë”, deklaron ai.
Pas vendimit të Supremes, reagoi ashpër qeveria në detyrë, e cila e cilësoi atë si arbitrar dhe si një interpretim të njëanshëm të dispozitave ligjore.
Mirëpo ky reagim i qeverisë në detyrë, sipas hulumtuesit në IKD, Naim Jakaj, është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve.
Jakaj: Qeveria në detyrë ndërhyri në sistemin e drejtësisë
“Kundërshtimi publik i një aktgjykimi të një instance më të lartë të gjykatave të rregullta nga pushteti ekzekutiv, jo vetëm që përbën ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, por është edhe shkelje flagrante e parimit të ndarjes së pushteteve, që është themel i rendit kushtetues në një shtet demokratik, duke cenuar integritetin e gjyqësorit dhe duke nxitur mosbesim institucional”, thotë ai.
Pas vendimit të Gjykatës Supreme kanë reaguar edhe partitë politike. Në PDK thanë se Supremja ka vulosur faktin se mbajtja e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që njëkohësisht janë edhe deputetë është në kundërshtim me ligjin.
Gruda, në një konferencë për media të mërkurën, tha se pas këtij aktgjykimi, çdo ditë që këta zyrtarë publikë vazhdojnë të mbajnë dy funksione, nënkupton kryerje të veprës penale të moszbatimit të vendimit gjyqësor.
Po ashtu, edhe anëtarë të LDK-së kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal, duke iu bashkuar 17 të tjerëve, dhe kanë kërkuar hetim për kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrat në detyrë të kabinetit të tij.
Sipas tyre, vazhdimi i punës së tyre në ekzekutiv edhe me mandat të fituar si deputetë është jokushtetues dhe i jashtëligjshëm, duke përmendur edhe vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e arkave fiskale, e cila dëshmon se një deputet nuk mund të ushtrojë njëkohësisht edhe pushtet ekzekutiv.
