Drejtori i Policisë së Kosovës takon udhëheqësit rajonalë: Fokus në integritet, disiplinë dhe bashkëpunim me qytetarët
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës (PK), kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me stafin e lartë menaxhues, ka zhvilluar një takim zyrtar me drejtorët e Drejtorive Rajonale Policore dhe komandantët e stacioneve policore në mbarë vendin.
Ky takim u organizua me qëllim të prezantimit dhe analizimit të raportit gjashtëmujor për vitin 2025 duke evidentuar arritjet dhe rezultatet pozitive të Policisë së Kosovës. Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte e fokusuar në çështje që lidhen me performancën në punë, integritetin, disiplinën dhe rritjen e profesionalizmit në radhët e policisë – faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e imazhit dhe rritjen e besueshmërisë ndaj PK-së.
Drejtori Hoxha theksoi nevojën për zbatim të përpiktë dhe profesional të të gjitha procedurave ligjore, rregulloreve dhe udhëzimeve policore. Ai kërkoi nga të gjithë drejtuesit policorë përkushtim të lartë në realizimin e objektivave strategjike me theks të veçantë në: rritjen e bashkëpunimit me komunitetin dhe qytetarët, forcimin e integritetit dhe disiplinës në radhët e policisë, hetimin dhe luftimin e krimit e korrupsionit, ngritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe ruajtjen e rendit kushtetues.
Ai po ashtu vlerësoi se menaxhimi efikas i burimeve njerëzore e logjistike dhe mbikëqyrja efektive e punës së zyrtarëve nga eprorët do të ndikojnë drejtpërdrejt në arritjen e rezultateve më të avancuara në fushën e sigurisë.
Në fund të takimit, të gjithë të pranishmit u zotuan për angazhime të vazhdueshme dhe përkushtim të plotë në përmbushjen e misionit të Policisë së Kosovës në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. /Kosova.info/
