Refsdal kujton luftën në Kosovë dhe kritikon qasjen e drejtësisë në Hagë
Ka dokumentuar luftëra në të katër anët e botës, por kujtimet më të forta, thotë se i ka nga Kosova. Paul Refsdal, gazetari norvegjez, i cili gjatë luftës së fundit ishte në terren me UÇK-në, me ndjesi të përzier rrëfen për mënyrën se si po trajtohet drejtësia për atë periudhë.
“E dini edhe vetë, në Kosovë, rreth 10 mijë civilë janë vrarë, apo edhe janë të pagjetur, e që t?i çosh komandantët e UÇK-së deri në Hagë, derisa ke gjithë ata kriminelë serbë lufte, në Kosovë e në Serbi, që nuk do të ballafaqohen me asnjë lloj drejtësie. Është disi, si ta them, nuk është fare e drejtë se si po bëhen gjërat nga kjo gjykatë”, ka thënë Refsdal.
Ai kishte marrë ftesë për të dëshmuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, por dëshminë për ta e kishte refuzuar.
“Kur u ktheva në Norvegji, më kontaktoi një hetues ndërkombëtar, i cili donte që mësonte nëse kisha qenë dëshmitar i ndonjë krimi që ishte kryer nga UÇK-ja. Unë i pata thënë jo, nuk ka krime të kryera nga UÇK-ja, por që kisha qenë dëshmitar i shumë krimeve të kryera nga serbët, si dhe pata dërguar një listë gjërash që pata parë në pozitën time në spital, e ku pastaj nuk mora kurrë përgjigje”, ka thënë ai.
Pra, edhe në vitin 1998, gjatë luftës, kishte fokus vetëm tek UÇK-ja e jo tek krimet e serbëve.
Reporteri norvegjez shkëputi kujtimet nga Kosova e sidomos tregon për momentet kur i kishte takuar disa nga ish-krerët e UÇK-së, të cilët aktualisht po gjykohen në Hagë.
“Kam kujtime të këqija, sepse kam qenë në spital fushor, sigurisht kam parë shumë civilë, civilë të lënduar që vinin aty, njerëz që vdisnin… por që e dini, kam edhe disa kujtime tejet të bukura, sepse arrita të lidhem me njerëzit, sidomos në spital, e me pjesëtarët e UÇK-së gjatë luftës. Më duhet të them, shqiptarët e Kosovës janë të vetmit që më mbajnë mend ende, sepse kam qenë në zona tjera të luftës, e që asnjëherë nuk më kanë ftuar për të folur për të. Në Kosovë, jam ftuar disa herë, isha aty në përvjetorin e vitit të kaluar. Shqiptarët e Kosovës janë të vetmit që e kanë çmuar shumë punën time në mënyrë shumë të veçantë”, ka thënë Refsdal.
Refsdal konfirmoi që nuk ka marrë ndonjë ftesë nga ekipet e mbrojtjes në Hagë por tha se do ta shqyrtonte me seriozitet.
