Gjendje alarmante nga zjarret në kryeqytet – 12 vatra aktive, mobilizim i plotë i zjarrfikësve
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Komunës së Prishtinës ka njoftuar për një situatë alarmante si pasojë e shpërthimit të një numri të madh zjarresh në territorin e Kryeqytetit dhe zonave përreth.
Deri në këto momente janë regjistruar 12 raste aktive të zjarreve, ndërsa 7 ekipe të Brigadës së Zjarrfikësve janë të angazhuara në terren, duke ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme për t’i vënë nën kontroll vatrat.
Në kuadër të mobilizimit emergjent, Drejtoria ka angazhuar 15 zjarrfikës shtesë, ndërkohë që për shkak të situatës së rënduar në Komunën e Podujevës, është dërguar një ekip ndihmës nga Kryeqyteti. Po ashtu, në fshatin Krojmir të Komunës së Lipjanit, janë dislokuar dy ekipe të tjera për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve.
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca deklaron se është në gatishmëri të plotë dhe po e ndjek nga afër zhvillimin e situatës, me reagim në kohë reale sipas nevojës në terren.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal nga ana e qytetarëve, pasi rreziku për përhapjen e zjarreve mbetet shumë i lartë për shkak të temperaturave ekstreme dhe kushteve të thata atmosferike.
Në rast se vëreni tym, flakë apo ndonjë situatë të dyshimtë, raportoni menjëherë në numrat emergjentë:
📞 193
📞 0800 122 33
📞 0800 122 44
Qëndroni të sigurt – parandalimi fillon nga ju! 🔥 /Kosova.info/
