Kelmendi pret Bogdanin: Kosovë-Shqipëri intensifikojnë bashkëpunimin kundër krimit dhe korrupsionit

U. d. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi, priti sot në një takim zyrtar Këshillin e Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë, të udhëhequr nga kryetarja znj. Mirela Bogdani.

Gjatë këtij takimi u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy prokurorive, me fokus në shkëmbimin e përvojave, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe koordinimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. U diskutua për kornizën ligjore të të dyja vendeve, metodologjinë e përcaktimit të normës, matjen e performancës dhe sfidat gjatë zbatimit.

U. d. Kryeprokurori i Shtetit, z. Besim Kelmendi theksoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit në kohë reale, si dhe mbështetjen reciproke për procedurat që kanë të bëjnë me ndjekjen penale të veprave të rënda ndërkufitare.

Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë, znj. Mirela Bogdani, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me institucionet e drejtësisë së Kosovës, duke ritheksuar gatishmërinë për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Takimi përfundoi me zotimin e të dy palëve për intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve të të dy vendeve. /Kosova.info/


Go to TOP