​Paralajmërohet zbritja e çmimeve të derivateve në Kosovë

Pas marrëveshjes për armëpushim mes Iranit dhe Izraelit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë filluar të bien, ndërsa ky trend tashmë po reflektohet edhe në Kosovë. Sipas Shoqatës së Naftëtarëve dhe ekspertëve të ekonomisë, stabilizimi i situatës gjeopolitike kanë ulur presionin mbi çmimet e karburanteve. Të njëjtit vlerësojnë se pompat e derivateve në vend, duhet të reflektojnë menjëherë me ulje të çmimit.

Kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thotë se pas uljes së tensioneve mes Izraelit dhe Iranit, tregjet janë më të qeta dhe çmimet kanë nisur të shënojnë rënie.

Berjani gjithashtu ka bërë të ditur se çmimet aktuale në tregun kosovar janë, nafta 1.24 euro -1.32 euro, dhe benzina, 1.23 euro – 1.31 euro për një litër.

Berjani: Pas marrëveshjes për armëpushim mes Iranit dhe Izraelit, tensionet janë ulur dhe çmimet e naftës kanë filluar të bien

“Pas marrëveshjes për armëpushim mes Iranit dhe Izraelit, tensionet janë ulur dhe çmimet e naftës kanë filluar të bien. Tregjet nuk po e shohin më si të afërt rrezikun për një luftë të madhe apo mbylljen e ngushticës së Hormuzit, që është rrugë kyçe për furnizimin me naftë. Prodhimi i lartë nga SHBA dhe kërkesa më e dobët nga Kina dhe Evropa po e shtyjnë çmimin edhe më poshtë. Por nëse armëpushimi prishet ose ka ndonjë sulm në zonat e naftës, çmimet mund të rriten sërish shumë shpejt. Çmimet aktuale në Kosovë janë, Diesel: 1.24€-1.32€, benzin: 1.23€-1.31€”, thotë Berjani.

Se duhet të ketë rënie të çmimit në pompat e karburanteve në Kosovë thonë edhe njohës të ekonomisë. Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thekson nevojën për reflektim të menjëhershëm të çmimeve në tregun vendor, derisa kritikon institucionet për mungesë të reagimit adekuat.

Gërxhaliu: Inspektorati në Kosovë duhet të jetë më aktiv sa i përket monitorimit të tregut të derivateve të naftës

“Deklarata e Trump që apeloi të mos ngritën çmimet në mënyrë që të mos rriten çmimet në mënyrë të pakontrolluar duhet të ketë efekt dhe zbatueshmëri edhe në Kosovë. Për fat të keq në Kosovë e kemi Autoritetin e Konkurrencës, i cili është shumë më tepër i politizuar sesa në funksion të mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe bizneseve, prandaj tolerohet një tregti spekulative. Në rend të dytë, Inspektorati në Kosovë duhet të jetë më aktiv sa i përket monitorimit të tregut të derivateve të naftës. Mirëpo, më shqetësuese është se në Kosovë, tregtia spekulative është shumë e shkathët dhe e shfrytëzojnë çdo moment për përfitime. Duhet të kuptohet që në psikologjinë e tregtisë së jashtme thuhet se çmimet në kriza ngritën shumë shpejtë, por nuk bien në atë fillestar. Është profesionalë që kjo dukuri e rritjes së dukuri e rritjes së çmimit të mos shfrytëzohet dhe të monitorohet në mënyrë profesionale nga organet kompetente të Qeverisë së Kosovës”, thotë Gërxhaliu.

Se duhet të ulen çmimet e thotë edhe njohësi tjetër i ekonomisë, Ismet Mulaj, çmimi në bursa ka rënë, kështu sipas tij, duhet të reflektohet automatikisht në pompat e karburanteve në Kosovë për 10 apo 15 centë më lirë.

Mulaj: Për 10 centë apo 15 centë do të ishte e natyrshme të bien çmimet

“Prej sot, për shkak se nëse përcaktuesi kryesor është çmimi në bursat ndërkombëtare, çmimi në bursa ka rënë, kështu duhet të reflektohet automatikisht në pompat e karburanteve në Kosovë… Për 10 centë apo 15 centë do të ishte e natyrshme”, thotë Mulaj.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri thirrje të hënën për mbajtjen e çmimeve të naftës të ulëta, ndërsa çmimet u rritën në nivelin më të lartë pesëmujor pas sulmeve të fundjavës së SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Pas kësaj, ka njoftuar se është arritur armëpushim mes Izraelit dhe Iranit, raporton KosovaPress.

Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Donald Trump ka dhënë detaje për armëpushimin, derisa ka thënë se lufta ka qenë e mundshme të vazhdonte për vote të tëra, duke çuar në shkatërrimin e Lindjes së Mesme.

Por, siç ka thënë ai, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Sipas Trump, “brenda 24 orësh” lufta zyrtarisht do të përfundojë.

“Urime të gjithëve! Është rënë dakord plotësisht midis Izraelit dhe Iranit që do të ketë një Armëpushim të plotë dhe total (përafërsisht brenda 6 orësh nga tani, kur Izraeli dhe Irani të kenë përfunduar misionet e tyre të fundit në zhvillim e sipër!), për 12 orë, në të cilën pikë lufta do të konsiderohet e mbaruar! Zyrtarisht, Irani do të fillojë armëpushimin dhe, në orën 12, Izraeli do të fillojë armëpushimin dhe, në orën 24, një fund zyrtar i luftës 12-ditore do të përshëndetet nga bota. Gjatë çdo armëpushimi, pala tjetër do të mbetet paqësore dhe respektuese. Me supozimin se gjithçka funksionon siç duhet, gjë që do të funksionojë, do të doja të përgëzoja të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, për qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet “luftë 12-ditore”. Kjo është një luftë që mund të kishte vazhduar me vite dhe të kishte shkatërruar të gjithë Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kurrë! Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zoti e bekoftë botën!”, ka shkruar Donald Trump.

Derisa Izraeli tha se ra dakord me propozimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për armëpushim pas sukseseve të tij ushtarake në Iran, në një deklaratë në emër të qeverisë së Kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Ndonëse, armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit duket se do të dështojë brenda pak orësh prej nga shpallja e presidentit amerikan, Donald Trump.

Izraeli po akuzon Iranin për prishje të armëpushimit teksa thotë se po nis sulme ndaj Teheranit, shkruan SkyNews.

Go to TOP