Pas marrëveshjes mes Komunës dhe “Pastrimit”, Prishtina pastrohet – KMDLNj u bën thirrje qytetarëve të shlyejnë borxhet
Pas një mosmarrëveshjeje të zgjatur midis Komunës së Prishtinës dhe kompanisë së pastrimit “Pastrimi”, kryeqyteti u përball me një situatë të rënduar mjedisore. Mungesa e kapaciteteve për largimin e mbeturinave për shkak të bllokimit të shërbimeve nga kompania çoi në grumbullimin masiv të mbeturinave në rrugë e lagje duke krijuar kushte për përhapjen e një epidemie dhe duke shtuar numrin e qenve endacakë që, në kërkim të ushqimit, u bënë agresivë dhe sulmuan qytetarë.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), përmes një reagimi publik dhe takimeve me zyrtarët komunalë, ka kërkuar që të arrihet një marrëveshje e përbashkët. Kjo marrëveshje duhej të përfshinte shlyerjen e borxheve të Komunës ndaj kompanisë “Pastrimi”, ndërsa kompania të përmbushte detyrimet e saj ndaj qytetarëve.
Si rezultat i kësaj ndërmjetësimi dhe presioni publik, palët kanë nënshkruar një marrëveshje, me ndikim të menjëhershëm në përmirësimin e gjendjes së pastërtisë në kryeqytet. Prishtina tashmë duket dukshëm më e pastër dhe e menaxhuar.
KMDLNj i ka bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në këtë përmirësim duke paguar me rregull faturat mujore për shërbimin e mbeturinave, si dhe të shlyejnë borxhet e grumbulluara në të kaluarën. Kjo mund të bëhet përmes pagesës së menjëhershme ose duke nënshkruar një marrëveshje për riprogramimin e borxhit.
Sipas KMDLNj-së, sa më i lartë të jetë niveli i pagesave nga konsumatorët, aq më e madhe do të jetë aftësia e kompanisë “Pastrimi” për të ofruar shërbime cilësore dhe të rregullta. Pagesa e faturave është jo vetëm detyrim ligjor, por edhe moral, veçanërisht kur shërbimet e ofruara janë të përballueshme për të gjithë.
KMDLNj shpreson se palët nënshkruese të marrëveshjes do të respektojnë me përpikëri obligimet që kanë marrë përsipër duke i dhënë fund një krize që preku drejtpërdrejt mirëqenien dhe shëndetin publik të qytetarëve të Prishtinës. /Kosova.info/
