Për draft-raportin për Prishtinën, ZKA doli me sqarim publik
Radiotelevizioni i Kosovës raportoi të hënën për disa gjetje të Auditorit të ërgjithshëm, për një sërë parregullsish në Komunën e Prishtinës, duke u bazuar në draftin e raportit për vitin 2024, të siguruar nga RTK. Kurse sot Zyra e Auditorit të Përgjithshëm doli me një sqarim publik, në të cilin thuhet se publikimi i këtij dokumenti nuk është autorizuar nga ky institucion.
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm doli sot me një sqarim publik, që lidhet me raportin e auditimit për komunën e Prishtinës për vitin 2024.
Sipas këtij institucioni, publikimi i këtij dokumenti nuk është autorizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Në sqarim thuhet se procesi i auditimit është i ndërtuar mbi standarde profesionale dhe rregulla të qarta që parashohin hapa të caktuar deri te publikimi i raportit përfundimtar.
“Publikimi i parakohshëm i raportit të auditimit dhe ende pa u miratuar nga Auditorja e Përgjithshme mund të dëmtojë procesin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional që ZKA-ja gëzon me institucionet që janë subjekt i auditimit, si dhe të çojë në interpretime të pjesshme apo të pasakta për publikun. Raportet përfundimtare të auditimit të nënshkruara nga Auditorja e Përgjithshme pasi t’i dorëzohen subjektit të audituar dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përputhje me afatet dhe procedurat e përcaktuara në nenin 23, paragrafi 1, të Ligjit 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, publikohen në faqen elektronike të ZKA-së dhe janë i vetmi qëndrim zyrtarë i ZKA-së”, thuhet në këtë sqarim.
Radiotelevizioni i Kosovës raportoi të hënën për disa gjetje të Auditorit të Përgjithshëm, për një sërë parregullsish në Komunën e Prishtinës, duke u bazuar në draftin e raportit për vitin 2024, të siguruar nga RTK.
