`Liria ka Emër` e shqetësuar me procesin gjyqësor në Hagë

Platforma “Liria ka emër” ka mbajtur një konferencë për media, ku ka shprehur shqetësimin për, siç u cilësua, shkeljet e të drejtave të njeriut në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Procesi gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka devijuar nga standardet evropiane. Kështu ka theksuar Ismail Tasholli nga platforma, “Liria ka emër”, derisa bëri thirrje për rishqyrtim të procedurave. Ai tha se kërkon drejtësi të paanshme dhe jo të bazuar në paragjykime.

 “Procesi që është zhvilluar ka qenë jashtë standardeve evropiane. Jemi të bindur që këto shkelje duhet të evidentohen qartë. Kërkojmë të rishqyrtohen proceset dhe të garantohet që të veprohet në bazë të drejtësisë, e jo të interesave apo paragjykimeve”, tha Tasholli.

Juristi e deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se paraburgimi i zgjatur i Hashim Thaçit dhe të tjerëve është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Paraburgimi për më shumë se katër vjet i Thaçit dhe të tjerëve përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut. Marrja e provave nga Serbia vendos mbrojtjen në një pozitë të pabarabartë. Kjo praktikë duhet të ndalet menjëherë”, tha ai.

 Gruda përmendi edhe rastin e Sali Mustafës si një shembull të procedurave që, sipas tij, nuk janë në përputhje me standardet e drejtësisë evropiane.

Platforma “Liria ka emër” dhe përfaqësuesit e saj u bëjnë thirrje shteteve financuese të Gjykatës Speciale që të marrin përgjegjësi për të garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm, larg çdo paragjykimi politik apo etnik.


Go to TOP