LDK po ia mbyll derën vetvetes, jo vetëm Kurtit!
Shkruan: Halil GECI
Bojkoti i opozitës ndaj vullnetit të 50% të qytetarëve është grusht ndaj demokracisë, jo ndaj qeverisë.
Sonte, në emisionin CLIC në TV21 me temën “LDK ia mbyll derën Kurtit”, panelistët u përpoqën të shpërndajnë përgjegjësinë për bllokimin institucional, duke ia adresuar fajin ekskluzivisht Vetëvendosjes. Ajo që u la në heshtje – qëllimisht apo nga harresa politike – është fakti i thjeshtë se as opozita nuk i ka numrat për të krijuar institucione. Sepse po t’i kishte, institucionet do të ishin formuar prej kohësh, pa pasur nevojë për dramë politike apo deklarata boshe.
Që nga fillimi i këtij mandati, partitë opozitare kanë paralajmëruar rënie të afërt të qeverisë Kurti. Madje, pa kaluar as një vit, flitej për zgjedhje në vjeshtë. Por askush nuk specifikoi se në cilën vjeshtë – dhe tashmë kanë kaluar katër vjet e jemi në prag të të pestës, ndërsa zgjedhjet vazhdojnë të mos ndodhin.
LDK-ja, që dikur pretendohej si forcë stabiliteti, e ka kuptuar më në fund se një bashkëpunim i drejtpërdrejtë me PDK-në për të rrëzuar qeverinë do të ishte katastrofë politike për të – një vetëvrasje elektorale. Prandaj po mundohet të mbajë një qëndrim “as me pozitën, as me opozitën” – një strategji që, në vend të neutralitetit, po e zhyt më thellë në krizën e identitetit dhe po i kushton besimin qytetar.
Në realitet, LDK nuk po ia mbyll derën vetëm VV-së – ajo po ia mbyll derën vetes dhe votuesve të vet. Sepse përmes një qëndrimi bllokues, po përpiqet të diktojë me 48 deputetë se kush duhet të jetë “zot shtëpie”, duke anashkaluar faktin se VV ka dalë fituese me mbi 50% të votës. Një sjellje e tillë është përçmim ndaj vullnetit popullor dhe rrezikon ta kthejë LDK-në nga parti shtetformuese në parti shtet-rënuese.
Sonte në CLIC, një përfaqësues i LDK-së u kap pas sondazheve për të thënë se VV është në rënie, ndërsa LDK në ngritje. Këtë e kemi dëgjuar edhe para katër vjetësh. Ishte një iluzion atëherë, është një iluzion edhe sot. Siç thotë populli: “Pula mos me pa ëndërr që han grurë, cufë.” Ëndrra e radhës e LDK-së është që Lumir Abdixhiku të bëhet kryeministër – ndoshta si shpërblim për premtimet që i ka dhënë ndërkombëtarëve si Richard Grenell, për rikthimin e kufirit te ura e Ibrit.
Në të vërtetë, kjo ishte thelbi i programit të tyre zgjedhor. Për këtë arsye LDK e humbi mbështetjen. Sepse çdo lider që përpiqet të zbatojë marrëveshjet që shesin sovranitetin për para të thata – mund të fitojë ndonjë grant prej 600 milionësh, por do t’i kushtojë Kosovës 600 miliardë në pasuri kombëtare, liri dhe dinjitet. LDK e ka votuar Zajednicën, dhe kështu e ka çuar amanetin e Rankoviçit drejt zbatimit, jo të Kosovës së lirë.
Partia që dikur shihej si shtetformuese, sot ka rrëshqitur në një rol tjetër: parti që rrezikon të rrënojë themelet e shtetit. Sepse të mbrosh struktura që mohojnë ekzistencën e Republikës së Kosovës, është tradhti ndaj çdo gjaku të derdhur për këtë shtet.
Sot, opozita përpiqet t’i diktojë VV-së se kë duhet të emërojë si “zot shtëpie” – një absurditet i papranueshëm kur VV ka legjitimitetin popullor, dhe opozita s’ka as numrat e as moralin për ta udhëhequr këtë vend.
