PDK kundërshton liberalizimin e tregut të energjisë: Kërkon pezullimin e menjëhershëm të vendimit të ZRRE-së

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar një kundërshtim administrativ ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor 2025. Përmes përfaqësuesit ligjor, avokatit Faton Fetahu, PDK ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij akti administrativ dukee cilësuar atë si të paligjshëm dhe të dëmshëm për ekonominë e vendit.

Në dokumentin e dorëzuar, PDK argumenton se vendimi i ZRRE-së është marrë pa konsultime të gjera me palët e interesit, pa transparencë dhe pa përmbushur kushtet themelore për një treg të liberalizuar. Sipas kësaj partie, mungesa e konkurrencës reale dhe mosangazhimi i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për të vlerësuar strukturën e tregut përbëjnë shkelje të rëndësishme procedurale dhe përmbajtësore.

PDK paralajmëron se vendimi për liberalizim do të ketë pasoja të drejtpërdrejta për mbi 1,300 biznese dhe rreth 140 mijë punëtorë në sektorin privat, të cilët mund të përballen me rritje të menjëhershme të faturave të energjisë. Kjo situatë, sipas PDK-së, do të çojë në falimentimin e shumë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rritje të papunësisë, inflacion të përshpejtuar dhe përkeqësim të standardit të jetesës për qytetarët.

Në përkrahje të qëndrimit të saj, PDK i referohet edhe opinionit të Avokatit të Popullit dhe analizave të Odës Ekonomike të Kosovës, të cilat kanë ngritur shqetësime të ngjashme për mungesën e kushteve të nevojshme për një treg të lirë dhe të ndershëm të energjisë. PDK konsideron se vendimi aktual favorizon pozitat dominuese në treg duke i lënë konsumatorët pa mundësi reale për të zgjedhur lirisht furnizuesin e energjisë elektrike.

PDK kërkon që ZRRE të tërheqë vendimin deri në përmbushjen e të gjitha kushteve të parapara me ligj dhe të nisë një proces të ri, gjithëpërfshirës dhe transparent, që merr parasysh ndikimin socio-ekonomik, garanton konkurrencë të drejtë dhe mbron interesin publik.

“Liberalizimi i tregut të energjisë nuk guxon të bëhet me ngut, në mënyrë selektive apo për interesa të ngushta. Duhet të jetë rezultat i një strategjie të menduar mirë, që siguron mbrojtje për bizneset, qytetarët dhe stabilitetin ekonomik të vendit,” thuhet në reagimin e PDK-së. /Kosova.info/


Go to TOP