Dalipi reagon për përfshirjen e vëllait të tij në tregun e energjisë: Dritoni është qytetar i lirë, jo pjesë e Qeverisë

Shefi i Kabinetit të Kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me lajmet që kanë qarkulluar në media për përfshirjen e vëllait të tij, Driton Dalipi, në tregun e liberalizuar të energjisë. Ai ka sqaruar se Dritoni nuk është pjesë e Qeverisë, nuk mban asnjë funksion publik dhe ka të drejtë të angazhohet në veprimtari biznesi si çdo qytetar tjetër.

“Po, është e vërtetë – që kur kam hyrë në Qeveri, Dritoni s’ka pushu së qenë vëllau jem. Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që, pas 20 vitesh pune të suksesshme në biznes, ka vendos me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër,” ka shkruar Dalipi.

Ai ka theksuar se aplikimi i vëllait të tij për licencë në tregun e energjisë së ripërtëritshme është bërë në mënyrë të ligjshme dhe të rregullt pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), e cila është një institucion i pavarur nga Qeveria. Sipas tij, vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë është marrë që nga viti 2016 dhe nuk ka lidhje me ndonjë ndikim politik apo familjar.

Dalipi u shpreh kritik ndaj portaleve që, sipas tij, po përdorin tituj bombastikë për të krijuar huti te publiku duke e shndërruar komunikimin mediatik në mjet propagande. Ai i ftoi qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave dhe të lexojnë me kujdes faktet.

“Qeveria Kurti nuk ka pas nevojë ta siguron ‘heshtjen’ e mediave, sepse ka qenë e udhëhequr nga vlerat e transparencës dhe llogaridhënies,” ka deklaruar Dalipi duke shtuar se përkundër sulmeve politike, qeverisja aktuale ka mbështetur në mënyrë të qëndrueshme sektorin privat, veçanërisht përmes subvencioneve për energji efiçiente dhe fondeve për modernizim.

Ai gjithashtu ka dhënë detaje për kompaninë private MDA, e cila sipas tij është në pronësi dhe drejtim të vëllait të tij dhe ka mbi 20 vjet përvojë në projekte me donatorë ndërkombëtarë, me 27 milionë euro qarkullim dhe 1.5 milionë euro taksa të paguara ndër vite.

Në fund, Dalipi ka nënvizuar se përvoja e tij personale në SHBA dhe në sektorin privat është ajo që e bën të mbështesë konkurrencën dhe integritetin në treg.

“Kam qenë dhe mbetem i përkushtuar në detyrën time publike, ndërsa familjarët e mi janë qytetarë të lirë që nuk duhet të paragjykohen për lidhje familjare me mua,” ka përfunduar Dalipi. /Kosova.info/


Go to TOP