PDK kërkon respektimin e vendimit të Gjykatës Supreme për Prishtina Parking
Asamblisti i PDK-së në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme që shpalli të paligjshme 9 dispozita të Rregullores për Parkingjet në Prishtinë. Ai ka thënë se ky vendim konfirmon shkeljen e të drejtave të qytetarëve nga ndërmarrja “Prishtina Parking”, duke theksuar se bllokimi i automjeteve dhe vendosja e gjobave pa bazë ligjore kanë qenë veprime të kundërligjshme dhe abuzim me kompetencat.
“Me këtë vendim, u dëshmua se bllokimi i automjeteve dhe vendosja e gjobave pa bazë ligjore kanë qenë veprime të kundërligjshme dhe abuzim me kompetencat”, ka thënë Retkoceri.
Ai ka kërkuar nga autoritetet që të respektojnë vendimin e Gjykatës dhe të ndërpresin menjëherë çdo veprim të paligjshëm nga ndërmarrja “Prishtina Parking”, duke kërkuar gjithashtu që të mbahen përgjegjës të gjithë ata që janë të përfshirë në miratimin e kësaj rregulloreje.
“Për këtë situatë, përgjegjës janë kryetari i Komunës, Perparim Rama, ndërmarrja publike dhe anëtarët e Kuvendit Komunal që votuan miratimin e kësaj rregulloreje. Ne, asamblistët e PDK-së në Kuvendin Komunal, nuk u bëmë pjesë e këtyre pazareve dhe refuzuam të legalizojmë shkeljen e ligjit”, ka shkruar ai. /Kosova.info/
