Takimi Vuçiq-Putin merr kritika për largimin e Serbisë nga rruga evropiane

Vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Moskë, për t’u takuar me Vladimir Putinin dhe për të marrë pjesë në paradën e fitores, po shihet si sinjal i qartë politik që sfidon kritikat nga Brukseli dhe tensionon më tej pozicionin e Serbisë në raport me Bashkimin Evropian.

Ndërsa Rusia vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe nga Brukseli vijnë kritika të ashpra, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndodhet në Moskë, ku do të marrë pjesë në Paradën e Fitores dhe do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Me presidentin Putin do të flas për çështje të rëndësishme si gazi, NIS-i dhe bashkëpunimi ynë politik. Do të ketë pasoja, por ato do t’i mbaj mbi vete personalisht”, tha Vuçiq.

Opozita pro-evropiane dhe një pjesë e opinionit publik kritikojnë këtë veprim si një sinjal të qartë të braktisjes së rrugës evropiane dhe si kthim drejt autokracisë.

“Vuçiq është në një situatë pa dalje. Ai ka humbur besimin e opinionit evropian dhe tani i kthehet Putinit, modelit të tij të fshehur të qeverisjes”, tha Branislav Grubaçki, nga Lëvizja Optimizmi i Ri.

“Këtë vit morëm përfundimin e teatrit shumëvjeçar gjeopolitik. Pasojat eventuale për Serbinë do të varen nga shtetet anëtare të BE-së”, tha Bojana Sellakoviq, nga Konventa Kombëtare për BE-në.

Analistët vlerësojnë se Vuçiq po e përdor këtë vizite si një mesazh politik për elektoratin e tij pro-rus.

Ekspertët theksojnë edhe një paradoks: ndërsa Vuçiq ndodhet në Moskë, studentët protestues nga Serbia po vrapojnë drejt Brukselit në kërkim të përkrahjes nga Bashkimi Evropian.

Go to TOP