Muharremi kritikon gjuhën e deputetëve të LVV-së: Specialistë të ndasive shoqërore, do të tkurreni, jo rriteni
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj gjuhës së përdorur nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje pas refuzimit të ofertës për bashkëqeverisje nga LDK. Në një postim në rrjete sociale, ai tha se reagimet e deputetëve të LVV-së vetëm sa e vërtetojnë drejtësinë e vendimit të LDK-së për të mos bashkëpunuar me këtë subjekt politik.
“Kur i lexon reagimet e deputetëve të LVV-së pas refuzimit… e kupton pse LDK nuk ka gabu me përgjigjen e tyre,” shkroi Muharremi duke theksuar se gjuha e përdorur përmban urrejtje dhe ndasi të thella shoqërore.
Ai u shpreh i shqetësuar për gjuhën përçarëse që, sipas tij, LVV e përdor sistematikisht: “Qysh more me fol me aq urrejtje, me aq ndasi? A jeni shkollu e specializu në ndasi shoqërore, a çka?”
Muharremi theksoi se Vetëvendosje ka shumë për të reflektuar, pasi polarizimi dhe linçimi nuk janë të shëndetshme as për ata që i përdorin. Ai paralajmëroi se nëse LVV nuk ndryshon qëndrim, do të tkurret politikisht: “Ju nuk keni me shku duke u rritë, por duke u tkurrë. Mos pyesni nesër pse nuk po do askush me bo partneritet me ju.”
Në fund, ai apeloi për reflektim dhe ndryshim të qasjes sa më herët: “Sa më herët që reflektoni dhe ndryshoni qëndrimin dhe qasjen, aq më mirë për ju. Përndryshe, sa për mua, vazhdoni sa të doni kështu.” /Kosova.info/
