FIFA përjashton Club Leon nga Kupa e Botës për klube

Klubi meksikan Leon, fitues i Kupës së Kampionëve të CONCACAF në vitin 2023, është përjashtuar nga Kupa e Botës për klube, pasi ka humbur apelimin në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport (CAS) lidhur me një shkelje të rregullave të FIFA-s për pronësinë e klubeve.

Vendimi është konfirmuar të martën dhe nënkupton se Leon nuk do të marrë pjesë në edicionin e parë të zgjeruar të turneut botëror për klube, që do të mbahet në SHBA nga 14 qershori deri më 13 korrik, me 32 skuadra pjesëmarrëse dhe një fond të madh shpërblimi prej 1 miliard dollarësh.

Në një reagim zyrtar, klubi Leon ka shprehur zhgënjimin e thellë.
“Ky është dëmi më i madh që i është bërë një skuadre që gjithmonë ka garuar me përulësi dhe ndershmëri. E vetmja gjë që na mbetet është të fitojmë sërish për ta rikthyer vendin në fushë që na është marrë”, ka theksuar klubi meksikan.

Ndërkohë, FIFA ka bërë të ditur se po shqyrton organizimin e një ndeshje mes Club America dhe Los Angeles FC për të përcaktuar se cila skuadër do ta zëvendësojë Leon në këtë turne të madh ndërkombëtar.


Go to TOP