GLPS: Dështimi i krijimit të qeverisë cenon planin e BE-së për Kosovën
Në një konferencë për media, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerësoi se dështimi i krijimit të një kuvendi dhe të një qeverie funksionale tash e dy muaj, ndikon negativisht në të gjitha fushat e qeverisë.
Besar Gergi nga ky grup tha se në pamundësi objektive për hapjen e negociatave për anëtarësim, prioriteti i Kosovës ne fushën e integrimit Evropian duhet të jetë agjenda e reformave e vendit, që është miratuar nga Komisioni Evropian në tetor 2024 dhe është dorëzuar për ratifikim në Kuvend me 4 dhjetor.
“Kjo agjendë parasheh reforma të rëndësishme të përafrojnë vendin me BE-në, por po ashtu parasheh përkrahjen financiare të këtyre reformave. Fatkeqësisht, që nga ajo kohë nuk është ndërmarrë asnjë hap për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme”.
GLPS tha se vendi mund të përfitojë deri në 883 milion euro nga kjo agjendë në një periudhë tre vjeçare, një ngritje substanciale nga vitet e kaluara.
“Në momentin e ratifikimit, Komisioni Evropian është zotuar të ekzekutojë një parapagesë në vlerën prej 7% apo 61 milionë euro. Këto shifra janë shumë serioze për një vend me ekonominë e Kosovës”, tha Blerina Istrefi nga ky grup.
Ajo shtoi se ketë kontekst, duhet gjithashtu të theksohet se ne ende jemi nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian që nga 28 qershori i 2023, pra për gati dy vjet.
Dëmi ekonomik i këtyre masave me lehtësi ka tejkaluar shifrën prej 100 milionëve dhe po rritet për çdo ditë dhe ato janë ende në fuqi.
GLPS porositi se në kohën kur Komisioni Evropian ka hapur një derë për zbutjen e efekteve të këtyre masave, është papërgjegjësi e rënde politike mos-shfrytëzimi i kësaj mundësie.
Sipas tyre situata rëndohet edhe më shumë duke marrë parasysh se në rast të mosratifikimit deri në qershor, që përben afatin e dytë të zbatimit të reformave, ka rrezik real për kthim në piken zero sa i përket negocimit të marrëveshjes. Kjo mund të përkthehet në vonesa në ekzekutimin e fondeve si dhe potencialisht rishpërndarje të tyre drejt vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi plani i rritjes se Be-së parasheh klauzola të konkurrencës, sipas së cilës një vend që performon më mirë mund të përfitojë fondet e vendeve që kanë ngecje.
