Salihu: Debati për punimet në “Xhorxh Bush” dhe “Rexhep Luci” është i mbushur me propagandë dhe padituri

Bekim Salihu nga Instituti GAP ka reaguar ndaj debatit të ndezur për punimet në sheshin “Xhorxh Bush” dhe në rrugën “Rexhep Luci” duke theksuar se opinioni publik është i mbushur me deklarata të pavërteta dhe me qëndrime të “ekspertëve” të vetëshpallur.

Në një reagim të tij, Salihu sqaroi se nuk ka interes personal për t’u rreshtuar në asnjërën anë të diskutimit, por theksoi se Prishtina, si kryeqytet, nuk është konkurruese në rajon sa i takon urbanizmit dhe estetikës urbane duke pasur mungesë të theksuar të hapësirave rekreative, gjelbërimit dhe hapësirave publike për qytetarët.

Çdo përpjekje për të përmirësuar gjendjen, sipas tij, është e mirëseardhur, ndërsa zhurma e krijuar është, në një masë, e qëllimshme dhe pjesërisht e nxitur nga padituria.

Duke iu referuar rrugës “Rexhep Luci”, Salihu tha se Gjykata Komerciale ka vendosur pezullimin e ndaljes së qarkullimit të automjeteve, por jo ndërprerjen e investimeve duke i cilësuar deklaratat që thonë të kundërtën si propagandë ose injorancë.

Në rastin e sheshit “Xhorxh Bush”, ai theksoi se disa po thirren në ligjin për trashëgimi kulturore duke pretenduar se punimet cenojnë objektet përreth, si Radio Kosova dhe Rektorati. Megjithatë, Salihu thekson se këto objekte ndodhen në listën e përkohshme të mbrojtjes, e cila nuk është azhurnuar që nga viti 2022, dhe investimet përreth tyre, në fakt, e rrisin vlerën e tyre duke mos i cenuar apo tjetërsuar.

Ai gjithashtu nënvizoi se sipas ligjeve aktuale, planifikimi hapësinor dhe dhënia e lejeve për zhvillim janë kompetenca ekskluzive të Komunës, dhe se çdo projekt duhet të respektojë parimin e ligjshmërisë, me mundësi ankese vetëm përmes rrugës gjyqësore.

Në përfundim, Salihu tha se nuk sheh asnjë tendencë për të dëmtuar trashëgiminë, por përkundrazi sheh një përpjekje për të përmirësuar hapësirat publike dhe për të ndalur shëmtimin urban që disa objekte të vjetra e kanë përfaqësuar deri më tani. /Kosova.info/

Go to TOP