Ramë Lahaj me mesazh mbështetjeje për Belgin “Gabelin”: Talenteve të mëdha s’u bën ballë paragjykimi

Tenori i njohur ndërkombëtar nga Kosova, Ramë Lahaj, ka reaguar publikisht në mbështetje të sportistit të ri Belgin Rama, i cili së fundmi është përballur me ofendime dhe paragjykime në rrjetet sociale e përtej tyre, për shkak të prejardhjes së tij.

Në një postim emocional, Lahaj shpreh dhimbje për mënyrën si është trajtuar Belgin, por edhe krenari për forcën dhe talentin që ai ka shfaqur. “N’zanin tand ndjeva forcën e nji ylli n’ardhje,” shkruan tenori duke theksuar se Belgin përfaqëson shpresë, mençuri dhe vlera që sporti dhe shoqëria kanë nevojë t’i çmojnë.

Lahaj kujton edhe fillimet e veta të vështira, kur u paragjykua për prejardhjen dhe mungesën e mundësive, por që ato sfida i kthyen në forcë. “Kur e nisa rrugën teme n’profesion, n’fillim u paragjykova se isha ‘katunar’… Krejt ato m’banë veç edhe ma të fortë,” shkruan ai.

Për emrin “Gabel”, që është përdorur me konotacione negative ndaj Belginit, Lahaj ndan një përvojë personale: “Gabel m’ka thirrë nana gjithë jetën, prej dashnisë që kishte për mu.”

Duke e përmbyllur me një thirrje për përkrahje pa paragjykim, Lahaj e vë theksin te nevoja për ndjeshmëri dhe edukim si shoqëri, për të mos lënë askënd pas për shkak të paragjykimeve. “Përkrahja duhet me ardhë kur asht e nevojshme, pa dallim feje, ngjyre a prejardhje,” përfundon ai. /Kosova.info/


Go to TOP