Shehu: Rruga Junik-Gropa e Erenikut po avancon me ritme të shpejta, prioritet për zhvillimin e komunës
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka vizituar sot punimet në rrugën Junik-Gropa e Erenikut, ku ka vlerësuar përkushtimin dhe intensitetin e lartë të punës në terren.
Shehu theksoi se ky projekt është një nga investimet kyçe për komunën duke synuar përmirësimin e ndërlidhjes së zonave rurale me qytetin dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillim ekonomik dhe turistik.
“Çdo investim në infrastrukturë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të komunës sonë,” tha ai.
Rruga Junik–Gropa e Erenikut pritet të përfundojë në gjysmën e dytë të këtij viti duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për banorët dhe vizitorët e zonës.
Kryetari Shehu shprehu vendosmërinë e tij për të vazhduar me projekte që fuqizojnë zhvillimin lokal dhe përmirësojnë cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët e Junikut.
