Vrasja e policit në Kaçanik, flasin familjarët
Dy persona dyshohet të jenë të përfshirë në vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, ngjarje e ndodhur mbrëmë rreth orës 23 në hyrje të banesës së të ndjerit në Kaçanik, kanë bërë të ditur në Prokurorin Themelore në Ferizaj.
Burim Çerkini, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj tha se me datën 1 prill 2025 në Kaçanik, nga persona të panjohur është vrarë pjesëtari i Policisë së Kosovës, rreshteri Muhamed Lika.
“Ai, në kohën kur edhe ka ndodhur rasti, po kthehej nga puna dhe në momentin e shkuarjes në banesën e tij, në shkallët e ndërtesës, nga persona të panjohur për momentin, është qëlluar dhe nga plagët vdekjeprurësë, ka ndërruar jetë”, shtoi ai.
Ismet Rrahmani, prokuror i rastit theksoi se viktima ka marrë vetëm një goditje.
“Ajo goditje ka qenë tej shpuese dhe realisht nuk ka pasur antiplumb, ka qenë person zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare në orar të pasdites të zakonshëm dhe gjatë kthimit të tij nga puna në banesën e tij ka ardhur deri tek rasti”, tha ai.
Sipas prokurorisë, për momentin nuk ka të arrestuar dhe se nuk dihet motivi që ka çuar deri te vrasja, duke hedhur poshtë kështu të gjitha spekulimet të cila po qarkullojnë lidhur me rastin.
“Mund t’ju them se siguri të plotë se deri më tani nuk kemi persona të arrestuar për këtë çështje penale e ceka më lart që ka pasur intervista marrje në pyetje të personave që kanë mundur të japin informacione të rëndësishme, por që deri në këtë moment që po flasim ne nuk e dimë arsyen apo edhe motivin që ka quar deri në këtë rast makabër”, pohoi Çerkini.
Familjarët e të ndjerit por edhe përfaqësuesit e Komunës thanë se janë shumë të prekur me rastin që ka ndodhur.
Muzafer Lika, familjari i viktimës tha se kështu ka qenë një person, një djalë me të gjitha meritat e një njeriu që i ka, ka qenë ushtar i UÇK-së, ka qenë polic i Kosovës njësi speciale i ka shërbye vendit me ndershmërinë më të madhe. Dyshime nuk kemi për asnjë person.
Kurse Besim Ilazi, kryetar i Kaçanikut tha se “Meqenëse komuna e Kaçanikut ka qenë një komunë mjaft e qetë prej këtyre rasteve dhe ky është një rast që ka ma shokuar të gjithëve dhe ende nuk i dimë motivet se si ky rast dhe po presim të dhënat zyrtare që do të vijnë”.
Prokuroria në Ferizaj ka kërkuar nga çdo qytetar që ka ndonjë informacion të paraqitet në mënyrë që sa më parë të zbardhet rasti.
